Ekspozita “ARTmosfera” prezanton krijimet e artistëve të rinj mbi mjedisin dhe klimën

Ekspozita “ARTmosfera” prezanton krijimet e artistëve të rinj mbi mjedisin dhe klimën

Ekspozita “ARTmosfera” prezanton

Më 27–28 shkurt 2026, në ambientet e Micro-Folie, u zhvillua ekspozita “ARTmosfera”, një aktivitet publik që shënoi çeljen e serisë së ekspozitave të projektit ART-IN Vertical, i zbatuar nga FusionACT Centre (Shqipëri) dhe Art Without Limit (Kosovë), me mbështetjen e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) dhe Western Balkans Fund (WBF). Ekspozita synoi të prezantojë rezultatet e deritanishme të projektit dhe të nxisë ndërgjegjësimin publik mbi sfidat mjedisore dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike përmes artit bashkëkohor.

Në kuadër të ekspozitës u prezantuan krijime artistike të realizuara nga pjesëmarrësit e programit të trajnimit, artistët e rinj Oresti Semaj, Eder Shaba, Kejsi Ahmetaj, Erida Fusha dhe Kristina Pajollari. Punët e ekspozuara përfshinin forma të ndryshme të shprehjes artistike, si piktura, instalacione artistike dhe video-instalacione, të cilat trajtonin tema që lidhen me mjedisin, biodiversitetin dhe marrëdhënien e njeriut me natyrën.

Krijimet e artistëve reflektuan perspektiva të ndryshme mbi sfidat mjedisore të kohës sonë, duke eksploruar mënyrat se si arti mund të shërbejë si mjet për të komunikuar mesazhe sociale dhe për të nxitur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe të ekosistemeve. Përmes qasjeve konceptuale dhe eksperimentale, veprat artistike ftuan vizitorët të reflektojnë mbi ndikimin e ndërhyrjeve njerëzore në mjedis dhe mbi përgjegjësinë kolektive për një të ardhme më të qëndrueshme.

Aktiviteti tërhoqi një numër të konsiderueshëm vizitorësh, përfshirë artistë, studentë, përfaqësues institucionesh, organizata të shoqërisë civile dhe donatorë, duke krijuar një hapësirë ndërveprimi dhe dialogu mes artistëve dhe publikut.

“ARTmosfera” u konceptua si një hapësirë ku arti, shkenca dhe advokacia mjedisore ndërthuren për të krijuar forma të reja komunikimi dhe angazhimi publik, duke treguar potencialin e artit për të frymëzuar ndryshim dhe për të ndërtuar ura dialogu mes komuniteteve kreative dhe shoqërisë. Kjo ekspozitë përbën ndalesën e parë të një serie prezantimesh publike të projektit, e cila do të vijojë me ekspozitën e radhës në Prishtinë.

Projekti ART-IN Vertical zbatohet nga FusionACT Centre dhe Art Without Limit, me mbështetjen e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) dhe Western Balkans Fund (WBF).